Saturday, April 7, 2007

Fletë informimi


 

Cilat janë burimet materiale të pensionistëve?


 


 

Projekti hulumtues është një punim zyrtar i studentëve të Universitetit të Prishtinës, Departamenti i Shkencave Sociale dhe hyn në kuadër të obligimeve akademike nga lënda: Hulumtimi i Ndryshimeve Sociale .


 


 

Ekipi hulumtues: Mentor Zahiti, Donika Gashi, Luan Latifi, Saime Musliu, Luan Sallauka


 


 


 

Ky hulumtim është një hulumtim kualitativ i bazuar në tri intervista që do të realizohen në Shoqatën e Pensionistëve, me kryetarin e saj z. Rasim Domi, dhe dy persona të tjerë kompetentë dhe profesionistë, të cilët merren me këtë çështje.Me këtë rast ne paraprakisht iu falenderohemi për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin që na ofroni!

Pasiqë ky hulumtim është i stimuluar nga situata aktuale në Kosovë, ku një ndër problemet kryesore është edhe ai i pensionistëve, ky hulumtim tenton të përshkruaj dhe spjegojë situatën e pensionistëve, dhe si arrijnë ata të mbijetojnë pa pensione.


 


 


 

Shfletoni faqet e bashkangjitura!


 

Ju falemnderit!

PROPOZIMI HULUMTUES


 


 

Çështjen që po e paraqesim për hulumtim është një prej çështjeve esenciale, që prek pothuajse çdo shtëpi shqiptare në Kosovë, dhe ka të bëj me pensionistët. Pra, "Cilat janë burimet materiale të pensionistëve?"

Realiteti i krijuar në Kosovën e pasluftës është një fushë e tërë, e cila në vete përmban çështje (tema) që janë emergjente për t`u hulumtuar. Në këtë fushë hyn edhe problemi hulumtues i cekur, pra çështja e pensionistëve – shtresës më të varfër të popullsisë.

Të kalosh një jetë të tërë pune e të të mohohet e drejta e pensionit është në kundërshtim me të drejtat dhe liritë e njeriut, në kundërshtim me kontratën e punës të cilën pensionistët kaherë e kanë nënshkruar.

Nga këndvështrime të ndryshme kjo mund të shihet edhe si problem politik, ngase një pjesë e pensionistëve në Kosovë – serbët, marrin pensionet e tyre. Në të njejtat organizata e ndërrmarrje kanë punuar edhe pensionistët shqiptarë, të cilët nuk gëzojnë të drejtën e burimit të jetës. Megjithatë, qëllimi i këtij hulumtimi është të dihet se cilat janë burimet materiale të pensionistëve, dhe si arrijnë të mbijetojnë ata pa pensione, pra të analizohet dhe spjegohet ky aspekt i jetës së tyre.

Si studentë të shkencave sociale, kemi për detyrë shkollore të hulumtojmë në detaje këtë problem të pensionistëve, ta përshkruajmë dhe spjegojmë atë pa anime politike, emocionale .

Grupi ynë hulumtues shpreson se ky hulumtim do të jetë i dobishëm, ngase do të paraqes realitetin në të cilin janë duke jetuar pensionistët. Ndoshta ky hulumtim do të jetë shkas që të ndërrmerret diçka lidhur me këtë çështje tashmë të përditshme për pensionistët.

Auditori më i interesuar mund të jenë vetë pensionistët dhe ndërrmarrjet ku ata kanë punuar, pastaj UNMIK, OSCE, OKB e OJQ të ndryshme , që duan të ndihmojnë pensionistët për të mbijetuar, ngase çështja e tyre është çështje emergjente që kërkon zgjidhje të shpejtë.

Ky hulumtim i takon shkallës së vogël hulumtuese, pra tenton që të hap diskutime dhe mundësi për hulumtime të ardhshme, dhe do të jetë në formën e raportit për publikim.


 

Metodologjia e hulumtimit


 

Ky hulumtim do të jetë cilësor. Hulumtimi cilësor nuk ka të bëj me numërimin e dukurisë, e as me përcaktimin e sasisë së cilësisë. Hulumtimi cilësor nuk krijon statistika. Poashtu, ky hulumtim nuk do të tentoj të zgjidh problemin e tërësisë së hulumtuar, e as të trokas në ndonjë zyrë për të fajësuar organe të caktuara. Këtu nuk ka heronj.

Me hulumtimin cilësor ne synojmë të kuptojmë problemin hulumtues, të përshkruajmë se si njerëzit janë të involvuar në këtë hulumtim dhe të shohim problemet e tyre.

Në këtë hulumtim do të përdorim metodën e intervistës me pyetje të hapura. Kjo metodë është e përshtatshme, pasiqë respondentëve ua mundëson që në mënyrë të lirë dhe pa imponime të shprehin preokupimet dhe mendimet e tyre.

Me intervistën me pyetje të hapura, hapësira më e madhe iu kushtohet respondentëve, duke shprehur interesim për atë se çka ata thonë dhe gatishmëri për t`i dëgjuar me vëmendje, pra për të kuptuar sa më mirë edhe mënyrën se si respondentët përgjigjen.

Ky hulumtim synon që të përshkruaj situata specifike të respondentëve duke bërë përpjekje të nxirren informata që momentalisht nuk janë prezente.

Do të zhvillohen tri intervista.


 

Pyetjet e intervistës:


 

1. Me çfarë probleme materiale ballafaqohen pensionistët?

2. Si arrini të mbijetoni pa pensione?

3. Çka mendoni se sa duhet të jetë shuma për përmbushjen e nevojave elementare të një pensionisti?

4. Çka mendoni se si do të jetë niveli i përkujdesjes ndaj pensionistëve, pas konstituimit të qeverisë?

5. Si mendoni se do të mbijetojnë pensionistët nëse nuk zgjidhet problemi i tyre?


 

Çështjet etike


 

Për të hulumtuar çështje që kanë të bëjnë me preokupimet personale, nevojitet kujdes i veçantë ndaj normave etike, ngase respondentët mund të ndihen të ofenduar apo të dëmtuar, dhe të tërhiqen prej bashkëpunimit.

Si grup hulumtues do të kemi parasysh pikat kryesore të çështjeve etike, si: pjesëmarrjen vullnetare në hulumtim, respektimin e respondentëvepër mënyrën e shprehjes, anonimitetin, të drejtën e respondentit që të posedoj kasetat, shënimet dhe kopjen e hulumtimit pas publikimit etj.

Respondentët do të përfshihen në hulumtim në baza vullnetare dhe nga ata do të kërkohet që të nënshkruajnë formularin e informimit. Respondentët nuk do të ndjehen inferiorë me hulumtuesit as për mënyrën e veshjes; intervistuesi do të vishet në mënyrë korrekte, dhe do të përdorë gjuhën që për respondentët është më lehtë e kapshme. Respondentët do të pyeten nëse duan të identifikohen apo të ruhet identiteti i tyre, dhe kjo gjë do të respektohet maksimalisht.


 

Ndarja e roleve në grup:


 

Përgaditja e propozimit hulumtues: Mentor Zahiti, me ndihmën e grupit;

Formulimi dhe përpunimi i pyetjeve: grupi

Intervistat: Donika Gashi, Luan Latifi;

Çështjet etike: Saime Musliu, Luan Sallauka

Analizimi i të dhënave: grupi

Përgaditja e raportit: grupi

Si jetojnë pensionistët?

Information sheet

Si jetojnë pensionistët?


 


 

Ky hulumtim është një hulumtim kualitativ i bazuar në tri intervista të cilat do të realizohen në disa shoqata të ndryshme që kanë të bëjnë me problemin hulumtues.

Ky hulumtim është i stimuluar nga situata aktuale në Kosovë, ku një ndër problemet kryesore është edhe ai i pensionistëve.Pra, ky hulumtim tenton të përshkruaj dhe spjegojë situatën aktuale të pensionistëve dhe si arrijnë ata të mbijetojnë pa pensione.

  • Pensionistët në Kosovë për tri vite me radhë nuk kanë kurrfarë të ardhurash, së paku për nevojat e tyre elementare.
  • Projekti hulumtues është një punim zyrtarë i studentëve të Universitetit të Prishtinës.


 


 


 

Ekipi hulumtues: Donika Gashi, Mentor Zahiti, Luan Latifi, Saime Musliu, Luan Sallauka

Çka është funksionalizmi ?

DONIKA GASHI


Çka është funksionalizmi?

Funksionalizmi është një ndër drejtimet kryesore në sociologji, dhe i takon fushës së makrosociologjisë. Fuksionalizmi mbështetet në nocionin që institucionet shoqërore apo praktikat e tyre të analizohen në bazë të ndihmesës që ato i japin shoqërisë, pra sipas funksionit që ato kryejnë për vazhdimësinë e një shoqërie si tërësi.
Talcot Parsonsi ( 1902-1979 ), njihet si themelues i funksionalizmit në sociologjinë moderne amerikane, por me ndikim dhe shtrirje më të gjerë. Megjithatë, rrënjët e funksionalizmit i gjejmë te Dyrkemi gjer te Konti.
Analizën funksionale Dyrkemi e spjegon në analogji me biologjinë , pra me organizmin e njeriut , dhe funksionin e zemrës, si funksion që në ndërlidhje me funksionet tjera, mbajnë organizmin si një tërësi funksionale.
Pra, funksionalistët mendojnë se “analiza e funksionit të një njësie shoqërore, nënkupton nxjerrjen në pah të rolit që luan ajo në ekzistencën e vazhdueshme të një shoqërie” (Anthony Giddens,1997, fq.662 )

2. Çka është interaksionizmi simbolik ?

Interaksionizmi simbolik është një tjetër drejtim në sociologji, për dallim nga funksionalizmi, i takon fushës së mikrosociologjisë dhe merret me studimin e gjërave të vogla, si p.sh. me studimin e sjelljeve të individëve në shoqëri -dhe kuptimet që ata u japin atyre në jetën e përditshme . Georg H. Mead ( 1863-1935 ) është themeluesi i interaksionizmit simbolik, që njihet si pjesa më e rëndësishme e sociologjisë në fillim të këtij shekulli. Sipas ithtarëve të interaksionizmit simbolik sjelljet si ndërveprim midis njerzve kanë të bëjnë me këmbim të simboleve, siç është gjuha, pra komunikimi me anë të të folurit. Analiza e interaksionit simbolik merret me studimin e gjërave të vogla, megjithatë është një fushë studimi me interes të veçantë, pasiqë duke i analizuar interaksionet simbolike mes individëve, e të cilët janë përbërës të shoqërisë, sociologët mund të arrijnë deri te konkludime të përgjithësuara për një shoqëri të caktuar.

3.Çka është etnometodologjia?


Termi etnometodologji ka të bëjë me studimin e metodave popullore që njerëzit i përdorin gjatë komunikimit. Studimet dhe analizat e Harold Garfinkelit (1817), njëkohësisht edhe themelues i “etnometodologjisë”, ishin të përqendruara në mënyrat se si njerëzit e përdorin të folurit në komunikimet e tyre në situata të ndryshme të jetës së përditshme. Etnometodologjia bazohet në dy lloje hulumtimesh: atë të ndërprerjes së jetës së përditshme, dhe në analizën e bisedave. Etnometodologjia merret me gjëra tejet të vogla e në shikim të parë ndoshta edhe të përditshme, por në anën tjetër mjaft të ndërlikuara e delikate, megjithatë sjell mjaft përgjigjje në studimet që kanë të bëjnë me interaksionet mes njerëzve dhe realitetin shoqëror , në përgjëthsi.



4.Spjego katër sistemet e Parsonsit?

Teoria e Parsonsit përmban 4 sisteme : sistemin kulturor, sistemin shoqëror, sistemin e personalitetit dhe sistemin e sjelljeve. Sistemin kulturor Parsonsi e definon si “kuptim” ose “sistem simbolik”. (Shih:Wallace A.Ruth, Alison Wolf, 1991, fq.27). Këtu hyjnë kuptimet, besimet religjioze dhe vlerat e përbashkëta. Për sistemin social, Parsonsi mendon se “është një rrjet interaksionar shoqëror dhe se marrëdhëniet e mbajnë një sistem të vlerave të përbashkëta”- (prof. Lynn Alice, 2002). Pra, konteksti i interaksionit njerëzor dhe rolet, ku del në pah edhe socializimi që vepron si forcë integruese nëpërmjet kontrollit shoqëror, pra nëpërmjet vlerave të përbashkëta. Në sistemin e personalitetit, Parsonsi fokusohet në nevojat e individëve, motivet dhe qëndrimet e tyre. Në sistemin e sjelljes ai mendon në aspektet fizike dhe organike të ambientit njerëzor. Duke u referuar në këtë sistem Parsonsi “në mënyrë eksplicite përmend sistemin qendror nervor të organizmit dhe aktivitetin motorik”.(Wallace A. Ruth, Alison Wolf, 1991, fq. 29).
Parsonsi dhe ideja funksionaliste të gjitha këto sisteme i sheh si interdependente dhe se si secili sistem funksionon në atë mënyrë që i ndihmon funksionimit të sistemit tjetër në vazhdimësinë e shoqërisë në përgjithësi.

5.Spjego idenë e Parsonsit të “shoqërizimit”?

Parsonsi mendon se njerëzit internalizojnë vlerat e shoqërisë në të cilën jetojnë, pra ata marrin vlera shoqërore nga sistemi kulturor i shoqërisë në të cilën jetojnë, mësojnë rolin e tyre, pra se çka pritet nga ta, dhe bëhen pjesëmarrës të plotë në shoqëri.
Pra, vlerat vijnë nga sistemi kulturor, rolet mësohen nga sistemi social, identiteti individual vjen nga sistemi i personalitetit dhe prapavija biologjike vjen nga sistemi i sjelljeve. (Shih: Wallace A. Ruth, Alison Wolf, 1991, fq. 29).

6.Spjego idenë e Parsonsit të sistemit “variabël”?

Sistemin variabël, Parsonsi e ndanë në dy pjesë: në mes të gemeinschaft (shoqërisë tradicionale) dhe gesellschaft (shoqërisë moderne). Këto koncepte Parsonsi i huazoi nga Ferdinand Toennies, por i zhvilloi dhe zmadhoi në sistemin e tij të variablave.
Parsonsi mendon se relacionet në shoqëritë tradicionale janë personale dhe të qëndrueshme, të bazuara në farefisni, pra janë relacione shprehëse. Ndërkaq, për relacionet në shoqëritë moderne, Parsonsi mendon se janë jopersonale, më shumë zyrtare, pra instrumentale.
GEMEINSCHAFT( Shoq. Tradicionale) GESELLSCHAFT (Shoq.Moderne)
Ascription (atribuimi) Achievement (arritje)
Diffuseness (difuzion) Specificity (veçantitë)
Affectivity (ndikimi) Neutrality (neutralitet)
Particularism (partikularizëm) Universalism (gjithanshmëri)
Collectivity (kolektivitet) Self (vetvetja)

Pra, aktori duhet të vendos në mes të atribuimit dhe arritjes, pra t`iu drejtohet të tjerëve në bazë të asaj se kush apo çka ata janë, apo në bazë të asaj se çka ata mund të arrijnë, bëjnë. Nëse kërkesat dhe përgjegjësitë janë më të gjera, ky është relacion difuziv, ndërkaq nëse fushë-veprimtaria është e kufizuar atëherë relacionet janë më specifike. Në modelin e tretë, Parsonsi vendos ndikimin dhe neutralitetin, në mes të të cilave vendos vetë aktori nëse ai mund të pres apo jo ndonjë kënaqësi nga ky relacion. Në vendin e katërt vie partikularizmi dhe gjithanshmëria. Këtu zgjedhja bëhet në mes të reagimit në bazë të normave të përgjithshme apo reagimit në bazë të relacioneve të veçanta. Në vendin e pestë vie dilema mes kolektivitetit dhe vetvetes, a të përmbushen kërkesat dhe të kënaqen interesat private, apo të përmbushen disa obligime apo detyra ndaj kolektivitetit.
Parsonsi mendon se që të dy tipet janë të nevojshme në shoqëritë moderne, ndërkaq ana instrumentale është karakteristikë e shoqërive të industrializuara, veçanërisht kur ka të bëj me profesionet.

7. Cilat ishin katër çështjet (ose nevojat) kryesore që Parsonsi mendonte se ndeshen me të gjitha shoqëritë? A pajtoheni me këtë?

Parsonsi shoqërinë e ndan në katër pjesë të barabarta, të cilat janë çështje funksionale dhe i prezentoi si AGIL. Ai mendon se çdo shoqëri ndeshet me këto katër probleme kryesore: Adaptimi (adaptation); arritjet-qëllimet (goal attainment); integrimi (integration); dhe ligjet (law, legal). Nga këndvështrimi i Parsonsit të gjitha këto pjesë duhet dhe ato punojnë së bashku. Dhe përderisa këto përputhen do të ketë harmoni në shoqëri, p.sh që të mirëmbahen vlerat është kërkesë e arsimit, religjionit, familjes etj, dhe këto nuk mund të ndahen nga politika. Politika paraqet qëllimet e një shoqërie. Mirëpo, në sistemin politik duhet të ekzistojë një baraspeshë duke u bazuar në ligjet. Ajo që është e ligjshme është kontrolli social, pra ushtria, sanksionet, burgjet. Dhe njerëzit iu përshtaten këtyre rregullave apo normave pasiqë ata ndajnë vlera të përbashkëta. Marrëdhëniet mes këtyre katër pjesëve përbëjnë socializimin dhe mirëmbahen nga kontrolli shoqëror.

8. Në çfarë mënyre idetë e Parsonsit për ndryshimin shoqëror janë të ngjashme me ato të Durkheim –it?

Durkheim-i e shihte progresin social nga strukturat jodiferenciale të shoqërive primitive të karakterizuara nga solidariteti mekanik drejt diferencimeve strukturore në shoqëritë moderne të karakterizuara nga solidariteti organik. Parsonsi dallonte shoqëritë tradicionale (gemeinschaft) dhe shoqëritë moderne (gesellschaft), dhe veçanërisht preokupohej me integrimin. Pra, në esencë e njejta ide por e zhvilluar dhe e kultivuar në terme të ndryshme. Edhe Durkheim-i, edhe Parsonsi e spjegojnë shoqërinë në mënyrë të funksionimit të rregullt, me ndryshime sociale të ngadalshme.

9.Aplikojeni filozofinë e parave të Simmelit, në ekonominë bashkohore të Kosovës

Simmeli mendon se paratë krijojnë liri dhe pavarësi. Sipas kësaj pikëpamjeje Euroja në ekonominë bashkëkohore të Kosovës, si valutë monetare evropiane krijon edhe lirinë monetare, pra nuk ka nevojë për këmbim parashë. Ose një shembull tjetër nga aktualiteti kosovar mund të jetë si vijon: po të përdoreshin paratë nga doganat e Kosovës në mënyrë të drejtë dhe jokorruptuese, do të krijoheshin buxhete të mjaftueshme për pensionistët kosovarë dhe ata do të shijonin lirinë dhe pavarësinë materiale.

10. Çka nënkuptonte G.H. Mead me fjalët “Unë” dhe “Mua” ?

-Mead-i sheh dy faza të vetvetës, njëra është ”Unë” dhe tjetra “Mua”. Me “Unë” Meadi nënkupton reagimet e paorganizuara të organizmit ndaj qëndrimeve të të tjerëve, ndërkaq me “Mua” nënkupton një komplet të qëndrimeve të organizuara të të tjerëve që individi i merr në kthim, pra ato perspektiva që individi i ka mësuar nga të tjerët. Vetvetja konsiston që të veproj si “Unë”, kur është subjekt, ndërsa vepron si “Mua” kur vetvetja është objekt.

11. Cilat janë dallimet kryesore në mes të çasjes së interaksionizmit simbolik të Charles Cooley-it, G.H. Mead-it dhe Herbert Blumerit?

Mead mendon se vlerat dhe normat e krijojnë shoqërinë, si p.sh. gjuha e të folurit, gjuha e trupit etj. Ndërkaq Blumeri ka qasje më të detajizuar, ai mendon se individët i interpretojnë që më pare simbolet dhe më pastaj reagojnë ndaj tyre.

12. Përshkruani se çka Gofman nënkupton me “dramaturgji”?

Gofmani përdori konceptin e teatrit për të analizuar ndërveprimësinë sociale mes njerëzve në jetën e përditshme. Ai e sheh jetën e përditshme si skenën në të cilën aktorët luajnë rolet e tyre dhe nga ata pritet të veprojnë në bazë të statusit apo pozitës që e kanë në shoqëri. Organizimi i përshtypjeve është një aspekt shumë i rëndësishëm në modelin dramaturgjik të Gofmanit. Jetën sociale Gofmani e ndan në dy zona: në zonën ballore dhe në zonën e prapavijës. Zona ballore përmban çdo gjë që mund të observohet nga audienca përderisa aktori luan rolin e tij në mënyrë shumë serioze. Zona e prapavijës është zonë e fshehur nga audienca ku menaxhohet dhe përgaditet organizimi i përshtypjeve. Pra Gofmani u përpoq të na e paraqes idenë e tij se si njerëzit e menaxhojnë rolin e tyre në jetën e përditshme, në mënyrë që të kenë paraqitje sa më të mirë para të tjerëve.

13. Çka mendonte Garfinkel në eksperimentet e tij me studentët?

Në eksperimentet me studentët dhe ndërprerjen e jetës së përditshme Garfinkeli nuk kishte për qëllim të shkaktonte armiqësi mes njerëzve, por ai mundohej të zbulonte se si njerëzit reagojnë në situata të ndryshme kur rendi social që ata e kanë konstruktuar e me të cilin rend janë mësuar të përmbushin jetën e përditshme, për një moment ndryshon dhe merr kahje tjetër. Pra Garfinkeli hulumtonte se si njerëzit konstruktojnë rendin e tyre në ambiente të ndryshme.


14. Përshkruani se çka nënkuptoni me “ndërtimin shoqëror të realitetit”

Sipas Bergerit dhe Llukmanit me “ndërtim të realitetit shoqëror” nënkuptohet një proces që njerëzit vazhdimisht e krijojnë përmes aksioneve dhe interaksioneve të tyre, një realitet i përbashkët me elementet e tij objektive dhe subjektive. Me elemente subjektive ata mendojnë në një realitet që ka kuptim personal për një individ, ndërkaq me elemente objektive ata referohen te bota institucionale që është një pamje e produktit njerëzor. Tri idetë kryesorete të kësaj çasjeje janë: eksternalizimi, objektivacioni, internalizimi. Eksternalizimi është ideja se individët krijojnë shoqërinë, pra shoqëria është prodhim i vazhdueshëm i njerëzve që bashkëveprojnë , dhe se ajo vazhdon të ekzistojë vetëm nëse individët ndajnë kuptimet. Me objektivacion nënkuptojmë që shoqëria është fakt i qëllimtë me pasoja individuale. Internalizimi ka të bëjë me atë se si shoqëria është e institucionalizuar, p.sh. modelet e sistemet e sjelljes etj.

15. Si mund të përdoret çasja etnometodologjike, për të hulumtuar problemet shoqërore në Kosovë?

Për të hulumtuar problemet e shumta shoqërore në Kosovë , çasja etnometodologjike do të ishte një ide mjaft e qëlluar për të kuptuar biseda, interaksione dhe situata të ndryshme. Duke iu afruar problemit hulumtues, botëkuptimeve dhe vlerave të përbashkëta që sot i ndan rinia Kosovare është shumë lehtë të kuptosh se kur ata përdorin fjalët “zanzi” apo “cool” në çka mendojnë. Në kontekst të bisedës, këtu fjala mund të jetë për ndonjë femër tërheqëse apo për ndonjë djalosh urban.