Saturday, April 7, 2007

PROPOZIMI HULUMTUES


 


 

Çështjen që po e paraqesim për hulumtim është një prej çështjeve esenciale, që prek pothuajse çdo shtëpi shqiptare në Kosovë, dhe ka të bëj me pensionistët. Pra, "Cilat janë burimet materiale të pensionistëve?"

Realiteti i krijuar në Kosovën e pasluftës është një fushë e tërë, e cila në vete përmban çështje (tema) që janë emergjente për t`u hulumtuar. Në këtë fushë hyn edhe problemi hulumtues i cekur, pra çështja e pensionistëve – shtresës më të varfër të popullsisë.

Të kalosh një jetë të tërë pune e të të mohohet e drejta e pensionit është në kundërshtim me të drejtat dhe liritë e njeriut, në kundërshtim me kontratën e punës të cilën pensionistët kaherë e kanë nënshkruar.

Nga këndvështrime të ndryshme kjo mund të shihet edhe si problem politik, ngase një pjesë e pensionistëve në Kosovë – serbët, marrin pensionet e tyre. Në të njejtat organizata e ndërrmarrje kanë punuar edhe pensionistët shqiptarë, të cilët nuk gëzojnë të drejtën e burimit të jetës. Megjithatë, qëllimi i këtij hulumtimi është të dihet se cilat janë burimet materiale të pensionistëve, dhe si arrijnë të mbijetojnë ata pa pensione, pra të analizohet dhe spjegohet ky aspekt i jetës së tyre.

Si studentë të shkencave sociale, kemi për detyrë shkollore të hulumtojmë në detaje këtë problem të pensionistëve, ta përshkruajmë dhe spjegojmë atë pa anime politike, emocionale .

Grupi ynë hulumtues shpreson se ky hulumtim do të jetë i dobishëm, ngase do të paraqes realitetin në të cilin janë duke jetuar pensionistët. Ndoshta ky hulumtim do të jetë shkas që të ndërrmerret diçka lidhur me këtë çështje tashmë të përditshme për pensionistët.

Auditori më i interesuar mund të jenë vetë pensionistët dhe ndërrmarrjet ku ata kanë punuar, pastaj UNMIK, OSCE, OKB e OJQ të ndryshme , që duan të ndihmojnë pensionistët për të mbijetuar, ngase çështja e tyre është çështje emergjente që kërkon zgjidhje të shpejtë.

Ky hulumtim i takon shkallës së vogël hulumtuese, pra tenton që të hap diskutime dhe mundësi për hulumtime të ardhshme, dhe do të jetë në formën e raportit për publikim.


 

Metodologjia e hulumtimit


 

Ky hulumtim do të jetë cilësor. Hulumtimi cilësor nuk ka të bëj me numërimin e dukurisë, e as me përcaktimin e sasisë së cilësisë. Hulumtimi cilësor nuk krijon statistika. Poashtu, ky hulumtim nuk do të tentoj të zgjidh problemin e tërësisë së hulumtuar, e as të trokas në ndonjë zyrë për të fajësuar organe të caktuara. Këtu nuk ka heronj.

Me hulumtimin cilësor ne synojmë të kuptojmë problemin hulumtues, të përshkruajmë se si njerëzit janë të involvuar në këtë hulumtim dhe të shohim problemet e tyre.

Në këtë hulumtim do të përdorim metodën e intervistës me pyetje të hapura. Kjo metodë është e përshtatshme, pasiqë respondentëve ua mundëson që në mënyrë të lirë dhe pa imponime të shprehin preokupimet dhe mendimet e tyre.

Me intervistën me pyetje të hapura, hapësira më e madhe iu kushtohet respondentëve, duke shprehur interesim për atë se çka ata thonë dhe gatishmëri për t`i dëgjuar me vëmendje, pra për të kuptuar sa më mirë edhe mënyrën se si respondentët përgjigjen.

Ky hulumtim synon që të përshkruaj situata specifike të respondentëve duke bërë përpjekje të nxirren informata që momentalisht nuk janë prezente.

Do të zhvillohen tri intervista.


 

Pyetjet e intervistës:


 

1. Me çfarë probleme materiale ballafaqohen pensionistët?

2. Si arrini të mbijetoni pa pensione?

3. Çka mendoni se sa duhet të jetë shuma për përmbushjen e nevojave elementare të një pensionisti?

4. Çka mendoni se si do të jetë niveli i përkujdesjes ndaj pensionistëve, pas konstituimit të qeverisë?

5. Si mendoni se do të mbijetojnë pensionistët nëse nuk zgjidhet problemi i tyre?


 

Çështjet etike


 

Për të hulumtuar çështje që kanë të bëjnë me preokupimet personale, nevojitet kujdes i veçantë ndaj normave etike, ngase respondentët mund të ndihen të ofenduar apo të dëmtuar, dhe të tërhiqen prej bashkëpunimit.

Si grup hulumtues do të kemi parasysh pikat kryesore të çështjeve etike, si: pjesëmarrjen vullnetare në hulumtim, respektimin e respondentëvepër mënyrën e shprehjes, anonimitetin, të drejtën e respondentit që të posedoj kasetat, shënimet dhe kopjen e hulumtimit pas publikimit etj.

Respondentët do të përfshihen në hulumtim në baza vullnetare dhe nga ata do të kërkohet që të nënshkruajnë formularin e informimit. Respondentët nuk do të ndjehen inferiorë me hulumtuesit as për mënyrën e veshjes; intervistuesi do të vishet në mënyrë korrekte, dhe do të përdorë gjuhën që për respondentët është më lehtë e kapshme. Respondentët do të pyeten nëse duan të identifikohen apo të ruhet identiteti i tyre, dhe kjo gjë do të respektohet maksimalisht.


 

Ndarja e roleve në grup:


 

Përgaditja e propozimit hulumtues: Mentor Zahiti, me ndihmën e grupit;

Formulimi dhe përpunimi i pyetjeve: grupi

Intervistat: Donika Gashi, Luan Latifi;

Çështjet etike: Saime Musliu, Luan Sallauka

Analizimi i të dhënave: grupi

Përgaditja e raportit: grupi

No comments: